Shigjete

Ti je një histori që ecën, por a ke busull?

foto kredit Ali Kazal https://unsplash.com/photos/UU69D-_nwPI

Histori që ecën

Pas çdo njeriu fshihet një histori. Secili prej nesh është një histori që ecën në një shteg. Disa besojnë se ne jemi këmbësorë apo vrapues të pavullnetshëm në shtegun që na ka rënë për fat. Dikush tjetër e zgjedh atë shteg për ne, e ne thjesht e ndjekim pa mundur ta shmangim dot. Kush e mundi fatin? Kush mund të ç’shkruajë atë që është shkruar që nga barku i nënës?

Të tjerë besojnë se shtegun dhe fatin e shkruan vetë. Merre fatin tënd në dorë dhe shkruaj historinë tënde.

Ka dhe një grup që beson se ky shteg është një partneritet vullnetesh, ky qielli është në partneritet me tokën, Hyji me njeriun. Hyji si i gjithëdijshmi dhe Krijuesi i tokës dhe njeriut, ka vënë para nesh shtegun e jetës dhe të vdekjes. Pastaj ka thënë zgjidh jetën. E për të mos na e lënë enigmë drejtimin në shtegun e jetës, na ka lënë Shkrimet e Shenjta. Ai na ka folur qysh prej Moisiut në mal, kur gjdhendi ligjin e Tij në pllakat e gurta, e deri tek Jezusi që përmbushi gjithë ligjin e Tij.

Shkrimi i Shenjtë është si busulla e përsosur, që na tregon gjithmonë drejtimin, pavarësisht ku jemi, na orienton.Por shumë prej nesh sot kanë vendosur të jetojnë pa busull, sepse mendojnë se ia dalin vetë dhe e dinë vetë. Më kujton disi fëmijët apo adoleshentët kryeneçë që duan të sfidojnë veten, e nuk pranojnë ndihmë. Mendojnë se ia dalin vetë. Disa kanë kurajon të pyesin më të rriturit për ndihmë kur e shohin që nuk ia dalin dot, të tjerë vazhdojnë rrugën duke ngrënë qepën të cilës i thonë mollë (https://youtu.be/FnC8xGGEPRM)

Urimi im për 2022

Këtë vit të ri që sapo ka filluar, urimi im për secilin nga lexuesit e këtij blogu, është të përdorin busullën. Ai që nuk ka, të mos vonojë asnjë minutë më shumë për ta gjetur. Ai që e ka futur në xhep dhe e nxjerr vetëm kur ngatërrohet apo rrëzohet, le ta nxjerrë busullën nga xhepi e ta përdorë më shpesh, jo vetëm kur ka humbur. Ai që nuk është i sigurtë se cila është busulla e vertëtë, të mos humbasë më asnjë minutë nga koha e tij e çmuar për të krahasuar gjithë busullat “në tregun e dijes”, e të marrë busullën e vërtetë. I detyrohesh vetes me jetë për ta bërë këtë një orë e më parë.


Nuk duhet të jetosh këtë jetë si Sizifi, duke u përpjekur të rrokullisësh gurin e jetës deri në majë, pa arritur kurrë finishin. Dikush tjetër që ka jetuar pa mëkat, e ka sfiduar jetën dhe vdekjen dhe ka fituar për mua e për ty. Dhe ky dikush, sot të fton ta ndjekësh për të të çuar në shtëpi.

Një ftesë për ty

”Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” Gjoni 14:6


“Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”Gjoni 8:12


“Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje” Gjoni 6:35


“Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë” Gjoni 5:24

Jezusi

Unë po e ndjek, po ti?

*lexo Ungjillin e Gjonit në shqip këtu https://my.bible.com/bible/7/JHN.1.ALBB

Faleminderit që u regjistruat në Shigjete! Uroj që të gjeni inkurajim dhe frymëzim teksa bashkëreflektojmë mbi ngjarjet e përditshme përmes lenteve të besimit të krishterë. Shpresoj që përmbajtja do të zgjerojë botëkuptimin tuaj për jetën, Zotin, Jezusin dhe fuqinë hyjnore që na fton ta përjetojmë përditshmërinë me qëllim dhe shpresë. Zemra ime është që, ndërsa ndiqni përmbajtjen time, paragjykimet që mund të keni pasur për Jezusin apo besimin e krishterë të veniten, dhe të mund të shihni nga afër si duket jeta kur jetohet me hir, të vërtetë dhe dashuri.

Pin It on Pinterest

Share This