Shigjete

Unë dhe Henry

një rrëfim i sinqertë nga Entela Lala/ Sfida e Janarit

Një anëtar i ri në familje

Në vitin 2016 une u bëra “mami” për herë të parë.  Jo mami i një fëmije, por e një këlyshi Labrador të cilin e quajta Henry.

Unë nuk kam qenë e dhënë mbas kafshëve shtëpiake dhe të them të drejtën nuk e mora per vete por për partnerin tim që po kalonte një periudhë të vështirë nga ana emocionale. Unë mendova se do ta ndihmonte të dilte nga depresioni që e kish kapur dhe do ta shpërqendronte pak nga mendimet negative.

  Ky ishte një vendim paksa i nxituar, po kur e pashë këtë këlysh kaq të bukur ma prishi mendjen. Ishte dashuri me shikim të parë. Ai ishte me vëllezërit e motrat dhe une ja vura syrin. Plani fillestar ishte që ta shihja njëherë e të mendohesha. Por unë vendosa ta merrja që atë ditë.

T’i hapësh punë vetes!

 Unë nuk e kisha idenë fare se si te kujdesesha për një këlysh, ata janë si bebe.  Së pari duhet ta trajnoja që të kryente nevojat e tij jashtë dhe unë nuk e kisha idenë se si. M’u desh të mësoja. Gjithashtu, ai qante natën, sepse ishte mësuar më motrat e vëllezërit e tij. Për ta qetësuar e mora në krevatin tim se nuk doja të rrinte vetëm.  Më e keqja ishte se unë humba pavarësinë sepse nuk doja ta lija vetëm. Tani kur planifikoja duhet të merrja parasysh edhe qenin në cdo vendim, kur do të ikja, kur do të kthehesha në shtëpi, si do t’i kaloja fundjavat e tjera. Ishte një ndryshim i madh dhe shumë stresues.

Sikur të mos mjaftonte kjo, ai filloi të përtypte çdo gjë që gjente, këpucë, çorape, dyer, qylymat, madje edhe mëngët. Kishte qejf të më tërhiqte nga mëngët. çfarë të them? Ky këlysh i bukur ishte një tmerr i vërtetë. Unë u stresova kaq shumë sa fillova të mendoja që ta ktheja. Isha shumë e papërgatitur.  Dhe partneri im në vend që të ç‘stresohej u bë më keq sepse duhet të mendoheshim se si të  mos dëmtohej më shtëpia. Mua më dukej e gabuar përdorimi i kafazeve. Më dukeshin si burgje. E lija ndonjë herë aty kur duhet të beja punët e shtëpisë, por më dhimte zemra ta shihja në kafaz.

Pika e kthesës

Henry sot

 Megjithatë Henry e bëri punën e vet, dyert dhe muret janë akoma të dëmtuara kurse qylymi në sallon u desh të blihej i ri se u bë zhele.

 Por, kjo ishte një periudhë kalimtare sepse gjërat ndryshuan shumë shpejt. Unë dhe Henry u lidhëm me një lidhje të pathyeshme. Një ndjenjë dashuire shumë e madhe lindi tek unë, që nuk di ta shpjegoj as vetë. Kur e shikoja me behej zemra mal, kur ikja në punë mezi prisja të shkoja në shtëpi dhe të kaloja kohë me të. Pastaj filluam të bënim xhiro ditore ose te vraponim nëpër fushat me bar. Ai ishte kaq i bukur dhe shumë njerëz më bënin komplimenta për të. Henry u lidh aq shumë pas meje dhe mezi priste të më shihte. Ishte shumë aktiv dhe donte të luante gjithë kohën.

Ai u rrit shumë shpejt. Nga një këlysh i vogël që peshonte veç dy kg tani është bërë një qen i madh, mbi 40 kg. Për mua është prapë ai këlyshi i vogël, “bebi” im.  Edhe pse nuk luan sa lunate kur ishte i vogël, prapë është një qen energjik.

Jeta ime ka ndryshuar që atëherë, por  dashuira që më fal është e njëjë. Shumë herë u them shoqeve të mia që në momentin që vendos të marrësh një qen, ai do të bëhet fëmija yt, do ta duash  si një fëmijë. Henry më bëri që t’i dua të gjithe kafshët, jo vetëm qentë. Gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit, kam kaluar shumë sfida, shëndetsore dhe shpirtërore, por Henry ka qenë gjithmonë pranë meje. Ai e ndjen gëzimin dhe dhimbjen time dhe më duket sikur nuk jam vetëm kur kam atë

 Henry është shoku im më i mirë, më besnik, më i dashur. Është diçka që më bën të ndihem krenare, sepse unë u kujdesa për të, e ndihmova të rritet dhe i dhashë një familje të mbushur me dashuri.

Një ëndërr që lindi prej Henrit

Dëshira dhe ëndrra ime do të ishte të kujdesesha për qentë e pastrehë në Shqipëri. Më bëhet zemra copa kur vij në Shqipëri dhe i shikoj qentë rrugëve dhe të keqtrajtuar nga njerëzit. Do të doja shumë të kisha një strehë për ta që do të shërbente edhe si një qendër adoptimi, ku njerëzit mund të vinin t’i shihnin e t’i merrnim falas, pa shpenzuar qindra euro për një qen race.;ç‘rëndësi ka nëse një qen është racë e pastër? Ai ose ajo do të të falë të njëjtën dashuri.  

Une munda të shpëtoja një qen të vogël që e gjeta në rrugët e plazhit të Durrësit. Ai ishte një këlysh 5 muajsh që mezi ecte dhe ishte si skelet. E çova në shtëpinë e prindërve të mi dhe tani ai është rritur dhe është bërë si “djali i pleqërisë” për prindërit e mi. Ne të gjithë mund të bëjmë diçka për qentë. Dashuria që ata të falin është e çmuar. Dashuria e Henryt më ka bërë më të dashur, më të ndjeshme, më të butë. Unë besoj se Zoti i ka sjellë qentë në botën tonë për ne, jo që ne t’i torturojmë të lidhur me zinxhirë dhe t’i lëmë pa bukë e ujë apo t’i keqtrajtojmë. Ai na i ka dhënë ne që të kujdesemi për ta dhe si shkëmbim ata na falin një dashuri kaq të madhe. Unë lutem dhe shpresoj që mëgjithëse jeta ime është më sfiduese tani, Zoti prapë të më përdorë për t’u kujdesur për qentë. Ajo do të ishte idea ime e parajsës ku njeriu dhe kafshët që janë nën kujdesin e tij, jetojnë në një marrëdhënie përkujdesi e dashurie.

Faleminderit që u regjistruat në Shigjete! Uroj që të gjeni inkurajim dhe frymëzim teksa bashkëreflektojmë mbi ngjarjet e përditshme përmes lenteve të besimit të krishterë. Shpresoj që përmbajtja do të zgjerojë botëkuptimin tuaj për jetën, Zotin, Jezusin dhe fuqinë hyjnore që na fton ta përjetojmë përditshmërinë me qëllim dhe shpresë. Zemra ime është që, ndërsa ndiqni përmbajtjen time, paragjykimet që mund të keni pasur për Jezusin apo besimin e krishterë të veniten, dhe të mund të shihni nga afër si duket jeta kur jetohet me hir, të vërtetë dhe dashuri.

Pin It on Pinterest

Share This